Të paligjshme sepse vrasin shumë civilë, Biden ndihmon Ukrainën me bomba thërrmuese

Presidenti amerikan Joe Biden ka vendosur të dërgojë bomba thërrmuese në Ukrainë për të ndihmuar atë në luftën kundër Rusisë. Këto lloj bombash mund shkaktojnë shumë viktima civile, ndaj më shumë se 120 vende i kanë shpallur të paligjshme, por SHBA dhe Ukraina nuk e kanë firmosur këtë pakt.

Biden ka treguar pse e ka marrë këtë vendim duke argumentuar se ukrainasve po u mbarojnë municionet dhe Kievi ka nevojë për ato armë, në mënyrë që Rusia të mos e ndalë kundërofensivën e Ukrainës.

“Ishte vendim shumë i vështirë për mua. Dhe meqë ra fjala, e kam diskutuar edhe me aleatët tanë, e kam diskutuar me miqtë tanë në Hill,” shtoi Biden.

Vendimi vjen pavarësisht shqetësimeve të përhapura se këto lloje bombash mund të shkaktojnë viktima civile. Të kërkuara prej kohësh nga Ukraina, bombat thërrmuese janë armë që hapen në ajër, duke lëshuar bomba më të vogla të cilat shpërndahen në një zonë të madhe dhe kanë për qëllim të shkatërrojnë objektiva të shumtë në të njëjtën kohë. Zyrtarët ukrainas kanë kërkuar armët për të ndihmuar fushatën e tyre për të zbrapsur trupat ruse dhe për të arritur fitore në kundërsulmin e vazhdueshëm. Forcat ruse po përdorin tashmë bomba thërrmuese në fushën e betejës dhe në zonat e populluara civile, kanë thënë zyrtarët amerikanë.