“Jam rritur mes halleve…” Florjan Binaj shpjegon arsyet pse kandidon për Tiranën: Dinjiteti vlen më shumë se çdo pasuri! (VIDEO)

TIRANE- Kandidati i pavarur, Florjan Binaj ka shpjeguar sot arsyet që e çuan drejt kandidaturës për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Me një mesazh emocional, Binaj flet për qytetarët dhe për vizionin e tij për kryeqytetin.

“Po kandidoj që fëmijët tanë, për fëmijët tuaj, për këtë qytet që është shtëpia e madhe e shtëpisë tonë të vogël,” thotë Binaj, duke theksuar rëndësinë e një Tirane të shëndetshme, ku fëmijët të mund të rriten duke ndërtuar kujtime, jo duke parë ndërtime pa kontroll.

Ai thekson se në krye të bashkisë nuk duhet një shërbëtor partie, por një shërbëtor i qytetarëve, një njeri i ndershëm, për të cilin ndershmëria është themeli i përvojës. Binaj ndan me qytetarët përvojën e tij të jetesës në Tiranë, rritjen mes halleve dhe punës së ndershme, dhe angazhimin e tij në mbrojtje të të drejtave të të tjerëve.

“Shumë vetë më pyesin: “Përse po kandidon?”. Po kandidoj që fëmijët tanë, për fëmijët tuaj, për këtë qytet që është shtëpia e madhe e shtëpisë tonë të vogël. Po kandidoj që fëmijët tanë të rriten duke ndërtuar kujtime, jo duke parë ndërtime.  Një Tiranë e pashëndetshme nuk mund të prodhojë qytetarë të shëndetshëm. Dhe në krye të bashkisë së Tiranës nuk duhet një shërbëtor i partisë, duhet një shërbëtor i qytetarëve. Nuk na duhet një njeri me përvojë por që nuk ka ndershmëri. Na duhet një njeri që ka ndershmëri sepse është ndershmëria që ndërton përvojën dhe jo e kundërta. Unë jam rritur në Tiranë mes halleve dhe punës së njerëzve të ndershëm. Kam mësuar që i vogël duke punuar, se dinjiteti vlen më shumë se çdo pasuri. Unë e jetoj Tiranën si të gjithë ne. me bashkëshorten, me 3 fëmijët tanë, në një pallat të vjetër, në një apartament të vogël por që është i ngrohtë dhe plot dashuri. Me punën, aktivizmin dhe humorin tim, kam ngritur gjithmonë zërin kundër të keqes. Kam dalë gjithmonë në mbrojtje ndaj atyre që kanë nevojë. Por sot duhet të veprojmë! Të gjithë bashkë! #meFlorin”-thotë Binaj.