Izraeli avancon planin e debatueshëm të vendbanimeve: Do të varrosim përgjithmonë idenë e një shteti palestinez

Izraeli po avancon me një plan të diskutueshëm për ndërtimin e mijëra njësive të reja banimi në Bregun Perëndimor të pushtuar, një projekt që synon të ndajë territorin në dysh dhe që, sipas ministrit të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, do të “varrosë përgjithmonë idenë e një shteti palestinez.”

Bëhet fjalë për projektin E1, i cili ka qenë i ngrirë për dekada për shkak të kundërshtimit të fortë ndërkombëtar. Ai synon të lidhë Jerusalemin me vendbanimin izraelit Maale Adumim, duke e bërë praktikisht të pamundur krijimin e një kryeqyteti palestinez në Jerusalemin Lindor dhe duke penguar themelimin e një shteti palestinez të bashkuar territorialisht.

Smotrich njoftoi të enjten miratimin e afërt të 3,401 njësive të reja banimi, gjatë një konference për shtyp të mbajtur në vetë zonën ku parashikohet ndërtimi.

“Ata do të flasin për ëndrrën palestineze, ne do të ndërtojmë realitetin hebre. Ky realitet do ta varrosë përgjithmonë idenë e një shteti palestinez, sepse nuk ka asgjë për të njohur dhe askënd për të njohur,” deklaroi ai

Miratimi përfundimtar i planit pritet javën e ardhshme. Smotrich ka ushtruar vazhdimisht presion ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu për të aneksuar Bregun Perëndimor dhe për të vendosur sovranitetin izraelit në të gjithë territorin.

Nga ana tjetër, Presidenca e Këshillit Kombëtar Palestinez e dënoi ashpër planin, duke e cilësuar atë si një “strategji sistematike për të grabitur tokën dhe për të imponuar fakte biblike dhe talmudike në konflikt.”

Kryetari i Këshillit, Rawhi Fattouh, deklaroi se ky është një “plan kolonial që bën pjesë në politikën e aneksimit të ngadaltë” të Bregut Perëndimor, e shoqëruar nga dhuna e kolonëve ndaj palestinezëve.

Sipas së drejtës ndërkombëtare, vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor janë të paligjshme. Megjithatë, gjatë administratës së parë Trump, SHBA ndryshoi politikën shumëvjeçare dhe deklaroi se vendbanimet “nuk janë në kundërshtim” me të drejtën ndërkombëtare, një qëndrim që administrata Biden nuk e ndryshoi.