Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia paraqitet sërish në SPAK, i komunikohet akuza për ‘shpërdorim detyre’

Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia është paraqitur sërish në SPAK këtë të martë. Kjo është hera e tretë brenda pak muajsh që Spahia thirret nga prokurorët e posaçëm.

Burime per mediat bëjnë me dije se iu komunikua akuza dhe u mor i pandehur për ‘shpërdorim të detyrës’.

Më datë 24 dhjetor të vitit të kaluar ai qëndroi një orë në SPAK dhe pasi doli në një komunikim për gazetarët tha se çështja nuk ka interes publik dhe se deklarata e tij e dhënë në SPAK nuk ka lidhje me korrupsionin, krimin e organizuar apo paratë e pista.

“S’ka interes publik. Është një deklaratë që nuk ka lidhje me korrupsion, as me krimin e organizuar, as me para të pista, asgjë. Nuk ka interes për opinionin publik”, tha Bardh Spahia para gazetarëve.

Kujtojmë se Spahia u paraqit edhe më datë 2 tetor 2024 në SPAK, ku sërish në një komunikim të shkurtër për gazetarët tha se “s’ka asgjë që mund të ketë interes publik”.