Ish-drejtori te Tatimet nxjerr emrat: Kush janë zyrtarët e komanduar nga Ceno Klosi që abuzojnë me detyrën

Ish-drejtori i Auditit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Muharrem Doku, ka nxjerrë me emra disa zyrtarë të lartë që sipas tij komandohen nga Ceno Klosi dhe abuzojnë me detyrën.

Ai thotë se Elton Libohova, këshilltar i drejtorit të përgjithshëm të tatimeve, i ka bërë presion të gjithë tatimorëve, duke i larguar disa nga puna. Një tjetër zyrtar që abuzon sipas tij është edhe drejtori i koamnduar i Tiranës, Ramë Papa.

Për Dokun, këta drejtorët të komanduar nga Ceno Klosi tentojnë të mbajnë punonjësit e institucionit nën presion të vazhdueshëm, teksa shtoi se pas publikimit të lajmit për fillimin e hetimeve te Tatimet, Komisioni i Disiplinës ka pezulluar të gjitha masat disiplinore ndaj punonjësve të administratës tatimore.

“Jam larguar vjet në muajin gusht nga një këshilltar i drejtorit të përgjithshëm të tatimeve, Elton Libohova duke bërë presione ndaj të gjithë tatimorëve. Këshilltari i drejtorit nuk ka kompetencë të largojë njerëzit nga puna. Ky person ka qenë i dërguar nga Ceno Klosi vjet tek drejtoria Tatimore në Tiranë duke u bërë presion tatimorëve.

Rasti im konkret është pak më ndryshe nga kjo. Ai vjen dhe më bën foto në ambientet e zyrës së punës. Pastaj, fillon dhe bën presione. Më dërguan komision të disiplinës. Nuk arritën të gjejnë prova për shkelje dhe më largojnë nga puna me dy performanca negative nga ana e drejtorit të komanduar të Tiranës, Ramë Papa. Vlerësimet bëhen brenda një muaji ndërkohë që ligji thotë se çdo vlerësim bëhet çdo 6 muaj. Duke qenë person i komanduar, ligji nuk parashikon komandimin e punonjësve apo drejtuesve në detyrë.

Kjo është një shkelje që unë gjithmonë e kam kundërshtuar. Zotëria Ramë Papa vazhdon të jetë në detyrë duke marrë vendime. Sot marr vesh që Komisioni i Disiplinës ka pezulluar të gjitha masat disiplinore ndaj punonjësve të administratës tatimore pas publikimit të të dhënave në emisionin tuaj. Unë jam në proces gjyqësor. Te punonjësit e administratës tatimore ka një frymë shumë të keqe. Shumica e administratës janë familjarë dhe kanë halle dhe detyrohen t’i nënshtrohen një terrori. U bëjnë presione për t’i hequr ditë pune.

Arsyeja është për t’i mbajtur nën presion. Në administratën tatimore ka njerëz pa diplomë për shkak të lidhjeve nepotike dhe partiake dhe kjo bën që të fitohen të gjitha proceset gjyqësore nga punonjësit e larguar. Unë kam qenë për një kohë të gjatë në administratën tatimore. Unë jam larguar nga vitin 2014 nga drejtoria e përgjithshme, kam fituar procesin gjyqësor dhe jam rikthyer në vitin 2021 në drejtorinë e Tiranës. Në shtator 2021 ka ardhur Ceno Klosi. Që nga ajo kohë është ushtruar një presion i jashtëzakonshëm. Terrori vjen nga këshilltari i drejtorit të përgjithshëm, Elton Libohova, drejtorët e komanduar siç është drejtori aktual në shkelje të plotë të ligjit. Nëpërmjet këtyre personave vazhdon akoma edhe sot terrori”, tha Doku nw News 24.