Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, akuzohet zyrtarisht për dy vepra penale

Ish-drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), James Comey, është vënë nën akuzë për dy vepra penale, përfshirë deklarata të rreme para Kongresit amerikan.

Comey ka deklaruar se është i pafajshëm dhe ka shprehur besim të plotë në sistemin gjyqësor federal, ndërsa përballet me akuza që lidhen me një dëshmi të dhënë para një komisioni të Senatit në vitin 2020, ku dyshohet se ka gënjyer për autorizimin e rrjedhjes së informacionit të klasifikuar drejt mediave.

Presidenti Donald Trump, i cili ka qenë prej kohësh kritik i ashpër i Comey-t, e ka mirëpritur aktakuzën, vetëm disa ditë pasi kishte kërkuar publikisht që kundërshtarët e tij politikë, përfshirë edhe Comey, të hetohen më intensivisht nga drejtësia.

Aktakuza është ngritur në shtetin e Virxhinias dhe pritet që seanca e parë gjyqësore, ku akuzat do t’i lexohen zyrtarisht Comey-t, të mbahet më 9 tetor në qytetin Alexandria.

Hetimet po udhëhiqen nga Lindsey Halligan, Prokurorja e re Federale për Distriktin Lindor të Virxhinias, e cila më parë ka qenë avokate personale e presidentit Trump.

Ndërkohë, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi, e cila u shty nga Trump që të ndërmerrte veprime ndaj Comey-t, deklaroi:

“Kjo aktakuzë reflekton përkushtimin e Departamentit të Drejtësisë për të mbajtur përgjegjës ata që keqpërdorin pozitat e pushtetit dhe mashtrojnë popullin amerikan.”

Nëse shpallet fajtor, Comey mund të përballet me një dënim deri në pesë vjet burg.