Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Dashamir Xhika paraqitet në SPAK. Edhe pse nuk dihet se për çfarë do të pyetet Xhika, ai ka patur edhe më parë telashe me drejtësinë shqiptare.
Kjo pasi ai së bashku me dy ish-zyrtarë ka qenë më herët i arrestuar për shpërdorim fondesh në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Rruga nisi me një kosto prej 222 milion dollarësh por deri në përfundim i mori shqiptarëve rreth 330 milionë dollarë.
Në shkurt të 2018, Dashamir Xhika, asokohe drejtues i autoritetit rrugor u arrestua për korrupsion. Bashkë me të, përfunduar në qeli edhe dy vartësit e tij, Albens Alite dhe Aksel Qorduka.
Akuza e ngritur ishte se kishin abuzuar me fondet e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan. Auditi i Ministrisë së Infrastrukturës së drejtuar nga Damian Gjiknuri, llogariti se dëmi i shkaktuar ishte 36 milion dollarë.
Pas auditit, Gjiknuri paditi Dashamir Xhikën dhe vartësit e tij duke pretenduar se kostot e rrugës janë rritur për të favorizuar kompaninë Aktor që po ndërtonte rrugën. Nga ky veprim ata do të përfitonin para për vete.
Pas hetimeve, prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk gjetën prova për të vërtetuar korrupsionin. Si pasojë, në tetor të 2018 ata ia kaluan dosjen prokurorisë së Tiranës për të hetuar për shpërdorim detyre.
Dosja e madhe e korrupsionit të rrugës Tiranë-Elbasan u shfry dhe zyrtarët u liruan nga burgu.
Në korrik të vitit 2021, ata u pastruan edhe nga akuza e shpërdorimit të detyrës pasi prokuroria e Tiranës kërkoi pushimin e çështjes.