Irani ka ndaluar pjesëmarrjen e liderëve evropianë dhe perëndimorë në funeralin shtetëror të udhëheqësit të tij të ndjerë suprem, Ali Khamenei, i cili nisi në Teheran më 3 korrik.
Sipas transmetuesit shtetëror IRIB, delegacione nga më shumë se 100 vende kanë udhëtuar drejt kryeqytetit iranian për të marrë pjesë në ceremonitë mortore, megjithëse asnjë zyrtar i lartë nga vendet perëndimore nuk është ftuar.
Rusia dërgoi ish-presidentin Dmitry Medvedev si të dërguarin e posaçëm të Vladimir Putinit, ndërsa Kina u përfaqësua nga ligjvënësi i lartë He Wei dhe Pakistani nga kryeministri Shehbaz Sharif.
Përfaqësues kanë dërguar gjithashtu India, Taxhikistani, Armenia dhe qeveria talebane e Afganistanit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se liderët evropianë nuk e kishin fituar të drejtën për të marrë pjesë, pasi sipas tij nuk kishin “qëndruar në anën e duhur të historisë” gjatë konfliktit.
Përjashtimi i vetëm mes figurave evropiane ishte presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Kavelashvili, qeveria e të cilit është afruar me Moskën dhe Teheranin, duke u distancuar njëkohësisht nga Brukseli.
Khamenei, 86 vjeç, u vra më 28 shkurt në një sulm ajror të përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj kompleksit të tij, në ditën e parë të luftës mes Iranit dhe dy aleatëve.
Sipas autoriteteve iraniane, në të njëjtin sulm humbën jetën edhe disa prej të afërmve të tij, përfshirë vajzën, dhëndrin dhe një nip të mitur.
Varrimi i tij ishte planifikuar fillimisht për muajin mars, por u shty pasi luftimet vazhduan.
Ceremonitë mortore do të zgjasin rreth një javë në qytetet iraniane Teheran, Qom dhe Mashhad, si edhe në Najaf dhe Karbala në Irakun fqinj, përpara varrimit përfundimtar në faltoren e Imam Reza në Mashhad më 9 korrik.
Autoritetet iraniane thanë se më shumë se 20 milionë njerëz pritet të marrin pjesë në procesionet mortore në Teheran.
Khamenei u pasua në postin e udhëheqësit suprem nga djali i tij, Mojtaba Khamenei, i cili u zgjodh më 8 mars, por nuk është shfaqur në publik që prej atëherë.
Mungesa e tij në ceremoninë mortore ka nxitur spekulime për gjendjen e tij shëndetësore, pas raportimeve se ishte plagosur gjatë sulmit të shkurtit.
Figura të larta iraniane e shfrytëzuan ceremoninë për të përsëritur kërcënimet ndaj armiqve të vendit.
Komandanti i forcave të armatosura, Amir Hatami, deklaroi se Irani do të “hakmerret për gjakun” e udhëheqësit të vrarë, ndërsa kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, u bëri thirrje iranianëve të kërkojnë hakmarrje ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë, negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës janë pezulluar gjatë javës së funeralit, ndërsa të dyja palët raportojnë se është arritur vetëm përparim i kufizuar.