Qarkullonte me armë dhe radio si ajo e policisë, pranga 32 vjeçarit në Vlorë

Një 32 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Vlorës pasi lëvizte i armatosur. Blutë e Vlorës njoftojnë se gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip Audi, me të cilin E.M qarkullonte, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 2 krehra me 22 fishekë luftarakë, një mbajtëse plastike me 18 fishekë luftarakë, si dhe një radio të ngjashme me ato që përdor Policia e Shtetit.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas qarkullonte i armatosur në qytetin e Vlorës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Siguria”.

Si rezultat i operacionit, në lagjen “Lef Sallata”, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 32 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip Audi, me të cilin ai qarkullonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 2 krehra me 22 fishekë luftarakë, një mbajtëse plastike me 18 fishekë luftarakë, si dhe një radio të ngjashme me ato që përdor Policia e Shtetit” njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.