Ish-kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Fran Tuci, është zyrtari i radhës nga PS që përfundon në qeli nga SPAK.
Tuci akuzohet për “shpërdorim detyre”, pasi sipas Prokurorisë së Posaçme, ai lejoi ndërtimin e një rruge në një zonë rurale, duke dëmtuar një sipërfaqe pyjore, që ishte në pronësi të shtetit, teksa projekti ishte pa leje.
Tuci u la në burg ditën e djeshme nga Gjykata ndërsa i mohoi akuzat ndaj tij për shpërdorim detyre. Ai deklaroi se investimi është bërë nga vetë banorët e zonës për të hapur rrugën. Ai është shprehur se ka dhënë vetëm lejen që të hapet rruga, e cila në fakt ngjan si një shteg dhish, për në një fshat të thellë të Fushë Arrëzit.
Sipas të dhënave të dosjes së prokurorisë, rruga në njësinë administrative të Iballës, shkaktoi një dëm 234 milionë lekë dhe që sipas SPAK, përfundoi vetëm me shkatërrimin e sipërfaqes pyjore me mjete të rënda.