Integrimi, Marta Kos: Përcaktues reagimi i autoriteteve ndaj hetimeve për zyrtarët e lartë të pushtetit

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë mbledhjes së Këshillit të Integrimit Evropian foli për sfidat e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Një vëmendje të veçantë ajo i kushtoi edhe funksionimit të shtetit të së drejtës dhe mënyrës se si institucionet shqiptare reagojnë ndaj hetimeve që përfshijnë zyrtarë të lartë.

“Në fushën e shtetit të së drejtës do të jetë përcaktuese se si autoritetet reagojnë ndaj hetimeve, përfshirë edhe ato për persona që janë në pozita të larta të pushtetit”- tha nder te tjera Kos.

Kos foli edhe për protestat, duke thene se ato nuk përbëjnë pengesë për procesin e integrimit evropian. Përkundrazi, sipas saj, këto kërkesa mund ta ndihmojnë Shqipërinë të ecë më shpejt drejt Bashkimit Evropian.

“Ju keni ndërmarrë reforma të rëndësishme, keni ngritur institucione për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë. Udhërrëfyesi që keni publikuar tregon rrugën që duhet ndjekur. Ne të gjithë e dimë që udhërrëfyesi nuk përbën garanci. Sa më pranë anëtarësimit, aq më shumë duhet të tregoni se institucionet funksionojnë.

Në fushën e shtetit të së drejtës do të jetë përcaktuese se si autoritetet reagojnë ndaj hetimeve, përfshirë edhe ato për persona që janë në pozita të larta të pushtetit.

Ata që ndikohen nga ndryshimet në legjislacion duhet të kenë mundësi të jenë pjesë e procesit. Shoqëria civile duhet të ketë mundësi të vërtetë të kontribuojë në këtë reformë që do të formësojë të ardhmen e Shqipërisë.

Disa nga shqetësimet që janë ngritur nga protestat e fundit kanë të bëjnë me negociatat e anëtarësimit”,- tha Kos.