Insekti që po shkatërron pishat e zeza në Voskopojë dhe Llogara

Insekti i quajtur “ipssexdentatus” po shkatërron pishat e zeza në vendin tonë.

Ekspertët nga Shqipëria dhe Turqia kanë nisur monitorimet me stacione të përqëndruara në zonën e Voskopojës, Llogarasë dhe Pukës, ku pisha e zezë gjendet e rritur natyralisht. Ata kanë vërtetuar se ky insekt gjendet në këto zona dhe çon deri në tharjen e plotë të këtyre pishave.

Ata thonë se ky insekt luftohet nëpërmjet një insekti tjetër që njihet me emrin “thanasimus” dhe  mund të shërbejë për të parandaluar përhapjen e dëmtuesit dhe të mbrojë masivet me pishë të zezë nga shkatërrimi.

“Turqia dhe Shqipëria kanë të njëjtin problem sa i takon dëmtuesit të pishës së zezë i cili çon deri në tharjen e plot të bimës. Fillimisht vendosëm kurthet me feromone dhe rezultoi që zonat janë të prekura më pas do të vazhdojmë me monitorimin përmes dronëve dhe sateliteve për të identifikuar zonat më të prekura. Nëse nuk merren masa shumica e sipërfaqeve pyjore me pishë në Shqipëri dhe Turqi do të thahen. Zgjidhja kryesore është lufta biologjike”- tha Fatih Sivrikaya” për Top Channel.

Në Shqipëri janë mbi 100 mijë hektarë sipërfaqe me pishë të zezë që kërcënohen nga tharja për shkak të këtij insekti.