Imuniteti i Ballukut, Rama i bindur: Bëmë gjënë e duhur, nuk akuzohet për korrupsion që t’i kufizohet liria

Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për çështjen e ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarasë dhe në hetim për Unazën e Madhe të Tiranës.

Në një intervistë për median estoneze Postimees, kreu i qeverisë shqiptare thotë se Balluku nuk akuzohet për korrupsion, por për keqmenaxhim të prokurimeve publike.

Edhe njëherë, Rama mbështeti vendimin e socialistëve për mos t’i dhënë SPAK autorizimin për arrestimin e Ballukut, me pretendimin se nuk mund t’i kufizohet liria dikujt mbi bazën e dyshimeve për diçka që nuk është korrupsion.

“Pretendimet janë të pasakta, por kështu funksionon sot informacioni publik. Sepse, së pari, nuk është rast korrupsioni. Prokurori nuk e akuzon atë për korrupsion. Pra nuk ka akuzë për korrupsion. Bëhet fjalë për keqmenaxhim të prokurimeve publike, që sipas Kodit Penal është shumë larg korrupsionit.

Së dyti, në Shqipëri nuk kemi imunitet ndaj hetimit. Pra, kushdo mund të hetohet. Edhe unë vetë mund të hetohem nga prokurori pa e ditur fare. E vetmja gjë që bën parlamenti është të thotë “po” ose “jo” për kufizimin e lirisë së dikujt. Ne nuk menduam, dhe vazhdoj të mos mendoj, se kjo duhej bërë. Jam gjithnjë e më i bindur se bëmë gjënë e duhur kur thamë: vazhdoni hetimin, por nuk mund t’ia kufizoni lirinë dikujt vetëm mbi bazën e dyshimeve për diçka që nuk është korrupsion”, tha Rama.