Ilir Panda zgjidhet zëvendës kryetar i Gjykatës së Lartë

Gjykata e Lartë zhvilloi sot procedurën për zgjedhjen e zëvendës kryetarit të institucionit.

Ilir Panda u zgjodh si zëvendës kryetar në përfundim të mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve.

Panda arriti të merrte 25 vota, duke u zgjedhur nënkryetar i Gjykatës së Lartë, e cila drejtohet nga Sokol Sadushi.

Njoftim për median:

Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zhvilloi më datë 16.11.2023 procedurën për zgjedhjen e Zëvendëskryetarit të kësaj Gjykate.

Referuar kërkesave të nenit 26, pika 3 të Ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në R.SH.” si dhe të vendimit Nr. 7, datë 21.12.2018 “Rregullore për miratimin e rregullave për zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të gjykatave” të Këshillit të Lartë Gjyqësor, që parashikojnë zgjedhjen e zëvendëskryetarit nga rradhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pas procesit të verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore për kandidaturën e paraqitur, në prani të gjyqtarëve dhe të ndihmësmagjistratëve të komanduar dhe me të drejtë vote, Mbledhja e Përgjithshme vijoi me kryerjen e procedurës së votimit.

Në përfundim, Z. Ilir Panda, rezultoi i zgjedhur me 25 vota, si Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë.