Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh ditën e sotme se premtimi I Ramws pwr rritjen e pagave ishte thjesht njw një manovër elektorale. Ai tha se ‘Partia e Lirisë’ ka dërguar në Kuvend propozimin për rritje të qëndrueshme, por sipas tyre mazhoranaca e ka bllokuar.
Meta tha se vendi ynë rezulton me të ardhurat më të ulëta në rajon dhe një rritje e tillë pagash do të thellojë pabarazinë mes shtesave.
Sakaq shtoi se vendimi për rritjen e pagave për ligjvënësit dhe administratën publike u mor pa asnjë analizë të thelluar ekonomike.
DEKLARATA E PLOTË:
Edi Rama në kulmin e fushatës zgjedhore, lëshoi premtimin për pagën 900 Euro si dhe pas zgjedhjeve miratoi një ligj për rritjen e pagave. Qeveria pa asnjë analizë të thelluar ekonomike, pa asnjë analizë sociale, pra në mënyrë më aventureske, ndërmori një hap që nuk ka asnjë lidhje me një reformë të mirëfilltë pagash, por vetëm me një manovër elektorale të radhës.
Aq spekulative dhe aq elektorale ishin këto veprime, sa që në mënyrën më skandaloze, kjo rritje pagash nuk ka filluar të aplikohet pasi edhe koeficentët e llogaritjes së tyre ishin të gjithë të gabuar, ashtu sikurse është pranuar publikisht edhe nga qeveria, ndonëse ligji tashmë është votuar në parlament. Kjo rritje e pagave që u trumbetua nga mazhoranca për të përmirësuar mirëqenien e administratës publike, rezulton të sjellë thellimin e një pabarazie të tejskajshme.
Në qoftëse paga e Kryeministrit ishte 7 herë më e lartë se paga minimale, me këto ndryshime, ajo ka shkuar 10 herë më e lartë se paga minimale. Në qoftë se paga e Kryeministrit ishte 13 herë më e lartë se pensioni në qytet, sot me këto ndryshime, Kryeministri merr 23 herë më shumë se pensioni mesatar në qytet.
Në qoftë se paga e Kryeministrit ishte 22 herë më e lartë se pensioni mesatar në fshat, sot ajo ka shkuar, 38 herë më e lartë në fshat. Nëqoftë se paga e Kryeministrit ishte përpara 32 herë më e lartë se ndihma ekonomike mujore për një familje me 4 anëtarë, sot kjo diferencë thuajse është dyfishuar në krahasim me më parë.
Votimi në Parlament i ligjit të rritjes së pagave, tregoi se nuk është qëllimi që nga rritja e pagës së administratës të shtohet presioni mbi tregun dhe as nuk niset nga nevoja për të frenuar emigracionin.
Modeli shqiptar i zhvillimit nuk ka arritur për fat të keq të përcjellë paga të larta, tq qëndrueshme në ekonomi.
Shqipëria nuk e ka orientuar ekonominë nga tërheqja e investimeve të huaja, por ka mbetur në planin e konkurimit me krahun e lirë të punës dhe kryesisht bazuar në ndërtim. Shqipëria është e fundit në rajon për tërheqjen e investimeve të huaja, gjithashtu vendi me të ardhurat më të ulëta në buxhet në raport me PBB-në, nën 30%, ndërsa të gjithë vendet e tjera të rajonit e kanë mesatarisht 40%.
Rritja ekonomike mbetet më e ulët se rritja e planifikuar, borxhi më i lartë publik në rajon, i mbuluar me Eurobonde, dhe me nivelin më të lartë të kontratave PPP. U premtua rritja ekonomike 4.84% për vitin 2023, por Banka Botërore dhe FMN, parashikojnë se vështirë mund të arrihet edhe në 2.2%.
Vetëm në 9 vitet e fundit, janë marrë mbi 4 Eurobonde, për të financuar borxhin e jashtëzakonshëm publik që ka kaluar mbi 100%, ndërsa kontratat e PPP-ve kanë shkuar sa 50% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe fuqia blerëse e një familje shqiptare që merr pagë minimale është më e ulëta dhe e mjerueshmja në rajon.
Përsa kohë që pagat nuk do të nxiten nga ekonomia, çdo rritje me “urdhër” vetëm do të rrezikojë të kthehet në një boomerang social! Kjo politikë e rritjes së pagave rrit më tej pabarazinë. Teksa punonjësit në shërbimet themelore të vendit – mësuesit, mjekët dhe infermierët dhe trupa policore në terren morën vetëm 7% rritje page, funksionet e larta të qeverisë dhe të shtetit përfituan rritje page 50-98%.
Partia e Lirisë në propozimin e saj në muajin shtator, pra prej gati një viti coi në Kuvend ligjin për një rritje të qëndrueshme të pagave në funksion të Indeksimit sipas Inflacionit dhe përfitimit të cdo qytetari nga rritja ekonomike e vendit.
Gjithashtu, reformën e pagave, Partia e Lirisë e shikon si një piramidë të studiuar të pagave në nivelet e ndryshme të administratës, e kombinuar me bonuse shpërblimi për situata, siç është rasti i Covid-it, ose për profesione të caktuara që vendi ka nevojë. (mësuesit në zonat e largëta, IT-ja, mjekët, etj.)
Mazhoranca jo vetëm që propozimin tonë e bllokuar që prej shtatorit të vitit të fundit por njëkohësisht me këtë rritje selective të pagave dhe vetëm për qëllime elektorale e ka kthyer Shqipërinë në vendin e pabarazive më të larta sociale në rajonin tonë. Ku pagat e drejtuesve të qeverisë dhe të shtetit janë më të lartat dhe ku pagat e administratës, pagat e të gjithë shtresave të ndryshme të shoqërisë janë më të ultat në rajon. Dhe është vetëm një rrjedhojë e politikës të thellimit të pabarazive që kjo qeveri nuk ndalet deri në fund.