Ish-Presidenti Ilir Meta ka marrë leje nga SPAK për të qenë i pranishëm në varrimin e babait të tij, Rexhep Meta, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme.
Ceremonia mortore do të zhvillohet në orën 12:00 në fshatin Çepan të Skraparit, teksa Meta do të shoqërohet nga efektivët e policisë për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait.
Mediat raportojnë se atij i është dhënë leje edhe për ditën e nesërme, për të pritur vizitat e ngushëllimit të të afërmve dhe miqve të familjes.
Kreu i Partisë së Lirisë ndodhet në burg prej tetorit të vitit 2024, teksa çështja e tij ka kaluar për gjykim.
Mesazhi i Ilir Metës:
Të dashur të afërm, miq dhe dashamirës,
Me dhimbje të thellë po ndaj me ju lajmin e trishtë, për mua dhe gjithë familjen tonë, të ndarjes nga jeta të babait tonë të mrekullueshëm, Rexhep Meta.
Në respekt edhe të amanetit të tij, ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet, më 2 qershor, në ora 12:00, në vendlindjen e tij në Çepan të Skraparit.
Ndërkohë për të gjithë miqtë dhe dashamirësit, familja do të bëjë pritjet e ngushëllimeve në datën 3 qershor në Tiranë, vendin dhe orën e saktë, do t’ju a komunikojmë në vijim.