Ilir Meta garon në listë të hapur, kush e zëvendëson nga Partia e Lirisë në listën e sigurt?

Kryesia e Partisë së Lirisë ka vendosur në mbledhjen e djeshme që kryetari i saj, Ilir Meta, të garojë në listën e hapur në qarkun e Tiranës për koalicionin  “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, siç kishte shprehur dëshirën vetë ish-Presidenti.

Kandidimi i Metës në listën e hapur do të thotë se ai do të zëvendësohet nga një tjetër kandidat i PL-së në listën e sigurt, sipas marrëveshjes së arritur me Partinë Demokratike.

Burime për mediat bëjnë me dije se ai që do të zëvendësojë Metën në listën e sigurt do të jetë Petrit Vasili. Ky i fundit ishte parashikuar të garonte në listë të hapur, por tashmë duket se do të shkojë drejt një mandati tjetër të sigurt deputeti në 11 Maj.

3 emrat e tjerë që përfliten se do të garojnë nga Partia e Lirisë në listën e sigurt janë: Tedi Blushi në Tiranë, Edmond Haxhinasto në Elbasan dhe Erisa Xhixho në Fier.

Ditën e nesërme mbyllet edhe afati i regjistrimit të kandidatëve në KQZ, ku do të mësohen edhe të gjithë kandidatët e partive dhe koalicioneve që marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.