Një deklaratë e Autoritetit të Dosjeve rreth 2 vite më parë për lidhjen e një politikani të lartë me ish-Sigurimin e Shtetit, bëri “zhurmë” të madhe në opinionin publik.
“Në kuadër të punës së përditshme me përpunimin e materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit, së fundmi Autoriteti është ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik,” deklaronte AIDSSH.
Në deklaratë thuhej se politikani ishte me inicialet I.M, teksa të gjitha dyshimet binin mbi ish-Presidentin Ilir Meta. Vetë ky i fundit reagoi menjëherë duke hedhur poshtë të gjitha akuzat, teksa tha se këto akuza po bëheshin që të hiqen vëmendja nga afera e inceneratorëve.
Madje, Meta bëri edhe një kallëzim kundër Autoritetit të Dosjeve, teksa sot çështja është në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka thirrur për të dëshmuar dëshmitarin kryesor të ngjarjes, Filip Talon.
Si ndodhi ngjarja
Filip Talo dëshironte të arratisej nga Shqipëria në vitin 1989 dhe këtë plan ia ka treguar shokut të tij të klasës me inicialet I.M. Por ky i fundit ka treguar planin e Talos për arratisje te Sigurimi i Shtetit, të cilët e kanë arrestuar dhe burgosur.
Për Autoritetin e Dosjeve, I.M rezulton të jetë Ilir Meta, ndërsa sipas këtij të fundit, inicialet janë të Ilir Murataj.
Filip Talo rezulton të ketë punuar në Drejtorinë e Metrologjisë deri në vitin 2013, institucion në varësi të Ministrisë së Energjetikës dhe Transporteve e cila në atë drejtohej nga Lëvizja Socialiste për Integrim, këta të fundit në koalicion me PD.
Kohët e fundit ai rezulton të jetojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa kthehet herë pas here edhe në Shqipëri. Tashmë ai do të dëshmojë për të zbardhur të vërtetën dhe për të treguar nëse spiuni i tij te ish-Sigurimi ka qenë Ilir Meta, apo ndonjë person tjetër.