Ilir Beqaj, suksese në jetë! Si Edi Rama “i vari ujkut mëlçitë në qafë”

Kur pritej të arrestohej për çështjen e Sterilizimit, pasi kishte abuzuar me 100 milionë dollarë taksa të qytetarëve shqiptarë, ish-ministri Ilir Beqaj u vu në pranga për një çështje tjetër, atë të abuzimit me fondet e SASPAC, agjenci të cilën e drejtoi për rreth 1 vit.

Por, nëse me taksat e shqiptarëve është e lehtë të abuzosh nëse ke lidhje me pushtetin, BE nuk të fal aspak nëse shpërdoron fondet e tyre, ndoshta kjo është arsyeja edhe se përse arrestimi për këtë çështje erdhi më shpejt se sa për Sterilizimin.

Ilir Beqaj u vendos në krye të SASPAC në Nëntor të vitit 2021 me emërim të drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama, pavarësisht se SPAK ishte duke e hetuar për koncesionin e Sterilizimit. Edhe pse ka qenë gjithmonë një nga ministrat më të akuzuar për korrupsion, sërish Rama vendosi t’i besonte mikut të tij të vjetër, pasi siç deklaroi edhe në një emision, “nuk ka hajdut 2 metër”.

Epo, koha vërtetoi të kundërtën, pasi hajduti 2 metër nuk gllabëroi vetëm fondet e Shqipërisë, por edhe ato të Bashkimit Europian.

T’i varësh “mëlçitë në qafë” një “ujku të vjetër” si Ilir Beqaj, me vetëdije të plotë, është një tjetër skandal në këtë çështje, por për sa kohë kryeministri ynë të besojë që përgjegjësia është personale, atëherë në qeli do të përfundojnë vetëm bashkëpunëtorët e tij, ndërsa ai do të shtojë ditët në pushtet, me emra të rinj, por me zanat të vjetër.

Të gjithë e kujtojmë audio-përgjimin e Ilir Beqajt disa vite më parë kur drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë. Me një arrogancë të madhe, ai shkarkoi me telefon drejtorin e Fondit të Kujdesit Shëndetësor në Tropojë, Ndriçim Hajdarmataj, pasi ky i fundit mungoi në mbledhjen e Partisë Socialiste.

“Suksese në jetë” ishte shprehja që përdori Ilir Beqaj, një shprehje që u bë shumë e përdorur në atë kohë, por që ka ngelur edhe sot në memorien e të gjithëve.

Sot, është koha që të gjithë shqiptarët që janë vjedhur për shumë vite t’i urojnë Ilir Beqajt: Suksese në jetë!