Ai ishte i pari që denoncoi fisin Rraja publikisht në media dhe iku nga Shqipëria, pasi sipas tij mori informacion se mund ta vrisnin. Emiliano Nuhu, ish polici i cili tregoi para disa vitesh se ishte kërcënuar nga fisi Rraja dhe rrëfeu me detaje denoncimin e Xhisiela Malokut, ka folur sërish sot, pas publikimit të videos së dhunshme ku shihet se si “të fortët” e Fushë Krujës rrahin me shkopa bejsbolli dy qytetarë.
Në një intervistë për RTV Ora, Nuhu u shpreh se klani Rraja ka dashur vetë që t’i publikojë pamjet për të thënë se janë ata Zoti në ato komunitet dhe askush s’duhet të guxojë që të kryejë veprime.
Ai tha se personat që e kërcënuan më në zyrë i denoncoi që merreshin me trafik droge dhe lëviznin me armë:
“Në rastin tim nuk u publikuan pamjet se u manipuluan nga politika. Klani Rraja ka dashur vetë që t’i publikojë pamjet për të thënë se janë ata Zoti në ato komunitet dhe të mos guxojnë që të mos kryejnë veprime. Edhe unë jam kërcënuar nga personi me veshje të zezë në pamje, nga Xhelal Rraja që shihet aty me pistoletë.
Ky person më nxori armën në zyrën time në praninë e politikanëve që përmenda. Personat që më kërcënuan mua në zyrë i denoncova që merreshin me trafik droge dhe lëviznin me armë. Edhe Rrexhep Rraja që është arrestuar për atentatin e prokurorit dhe Redjan Rraja që e denoncova se më kërcënuan është i arrestuar”, u shpreh Nuhu.