Kreu i Inspektoriatit të Lartë të drejtësisë, Artur Metani, ka reaguar pas akuzave t ëish-kryeministrit Sali Berisha se është i përfshirë në aferën e inceneratorëve.
Ai deklaroi se asnjë nuk mund ta intimidojë, teksa shtoi se Berisha mund të shkojë në Prokurori nëse ka prova që vërtetojnë atë që ka thënë.
“Unë nuk kam dëshirë të merrem me komente politike, por do respektoj pyetjen tuaj. Për rastin konkret, por edhe kujdo tjerër, që ka ankesa apo akuza ndaj Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ose Artur Metanit, i them që të shkojë në prokurori.
Së dyti, cdokush që kërkon të intimidojë ose të ndikojë, apo të bëjë presion në punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ta harrojë! Ta harrojë”, është shprehur Artur Metani.
Por ja çfarë deklaroi ish-kryeministri Berisha dje:
“Artur Metani, informoj shqiptarët, se është bashkë me Engjëll Agaçin, njeriu që ka argumentuar, që ka marrë pjesë në të gjithë argumentimet ligjore të Këshillit të Ministrave. Artur Metani, ish-drejtues i Departamentit Juridik të Këshillit të Ministrave, që është gardiani kryesor i vendimeve të Këshillit të Ministrave, bashkë me Agaçin kanë legjitimuar një procedurë krimi. Artur Metani është i zhytur kokë e xhep në vjedhjen e shekullit”.