Një nga gjyqtaret më të pasura në vend, Shpëtime Pitaku flet për grabitjen në shtëpinë e saj: “S’kishin çfarë më merrnin”

Shpëtime Pitaku, gjyqtare në Gjykatën e Durrësit, ka bërë një denoncim në polici ku ka thënë se i janë vjedhur biuzhuteri dhe para në vlerën 2 mijë euro. Në një intervistë për mediat nga dritarja e shtëpisë, Pitaku tha se grabitja kishte ndodhur të dielën dhe se në shtëpinë e saj nuk kishte kamera, pasi ka një shtëpi normale.

E pyetur nga gazetarët për kamerat ajo tha:  “Jo nuk kisha, asgjë s’kisha. Isha rehat, nuk kishin çfarë më merrnin (qesh)”. As nuk më ka shkuar mendja të vendos kamera, një shtëpi normale kam”, ka deklaruar gjyqtarja Pitaku.

Denoncimi për grabitjen e banesës së saj është bërë nga bashkëshorti i gjyqtares. Ai ka deklaruar në polici se grabitësit i kanë marrë një shumë të vogël parash dhe bizhuteri. Bashkëshorti gjyqtares është shprehur se në atë moment nuk ka pasur njeri në shtëpi pasi kanë qenë në punë.

Gjyqtarja e Durrësit Shpëtime Pitaku rezulton një ndër gjyqtaret më të pasura të sistemit të drejtësisë.

Në deklaratën e saj të pasurisë, vetëm për vitin 2015 që ka dorëzuar pranë ILDKP, gjyqtarja thotë se ka 5 lokale, të cilët i kanë sjellë të ardhura të konsiderueshme. Nga qiratë e pesë lokaleve ka marrë shumat 9 600 euro, 360 000 lekë, 1 200 euro, 1 200 euro dhe 1 800 euro. Gjyqtarja deklaron edhe një sipërfaqe trualli 650 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 442 m2, në bashkëpronësi.