I doli emri në dosjen e inceneratorëve, ish kryebashkiaku socialist paraqitet sërish në SPAK

Deputeti i PS dhe ish kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqo është paraqitur sot në SPAK. Nuk dihet ende arsyeja e thirrjes së tij në Prokurorinë e Posaçme.

Kujtojmë se emri i tij doli në dosjen për inceneratorët, ku në një komunikim të vitit 2012, kur Zeqo ishte kryetar bashkie në Fier, Ahmetaj i kërkonte që të uleshin një ditë në kafe me Mirel Mërtirin. Kjo bisedë sipas SPAK provonte lidhjen e Ahmetajt me njeriun e rëndësishëm të inceneratorëve.

Zeqo, në një komunikim për mediat pak muaj më parë deklaroi se  nuk e mban mend nëse është takuar apo jo me Mirel Mërtirin, ndërsa mohoi  të jetë përfshirë në këtë çështje.

“Ahmetaj është shok partie. Nuk ka asnjë moment që flet që unë jam takuar me Ahmetajn, as kam pirë kafe… Nuk kam firmosur tendera për inceneratorët. Inceneratori është pas 2015. Momenti i dytë është që po heton SPAK, kaq di unë për incneratorët. Nuk kam komunikuar me Ahmetajn, është shok partie nuk ka qenë shoku im.

Nuk më kujtohet takimi dhe tema për Mërtirin. Po të mbaja mend do thoja. Unë nuk e njoh si fytyrë. Ahmetaj më ka nis një sms që të pres Mërtirin. Takimi ka ndodh para 11 vitesh. Unë nuk e di a e kam pritur apo jo. Jam i shqetësuar që emri im shpërdorohet, jo se është përmendur në SPAK”, deklaronte për mediat tre muaj më parë Zeqo.