I dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e dy vëllezërve, merr fund arratia e 48 vjeçarit nga Tirana

Ka marrë fund arratia e 48 vjeçarit Eduart Kurti, i dënuar me burg përjetë për vrajsen e vëllezërve Iglent e Sokol Haxhialiu në 1 Dhjetor të vitit 2012.

Ai është arrestuar ditën e sotme në Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim prej disa vitesh. Ai konsiderohej si një nga personat më të rrezikshëm në Tiranë:

Si ndodhi ngjarja:

Dy vëllezërit që u ekzekutuan me plumba në kokë mbrëmjen e datës 1 dhjetor 2012 në Tiranë(Iglent Haxhialiu, 44 vjeç, dhe Sokol Haxhialiu, 41 vjeç, që njihej edhe me emrin Nikola) ishin pronarë të disa bizneseve në Tiranë dhe në Vlorë. Vëllezërit nga Berati, prej disa vitesh jetonin në Tiranë në zonën e ish-Bllokut dhe kishin në pronësi 3 apartamentet e katit të gjashtë të një pallati.

Ata posedonin edhe një hotel luksoz në zonën e Dhërmiut në Vlorë, paratë për ndërtimin e të cilit dyshohet se ia kishin marrë borxh, autorit të dyshuar të ngjarjes, Eduart Kurti. Prej disa muajsh, Kurti kishte nisur t’ua kujtonte borxhin dhe interesin prej 5 për qind, të shumës 200 mijë dollarë që ata i kishin marrë hua. Për këtë arsye dyshohet të ketë ndodhur edhe krimi i dyfishtë, në makinën me të cilën udhëtonin vëllezërit.

Njoftimi i Policisë:

I shumëkërkuari nga Policia e Tiranës, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje, në rrethana të tjera cilësuese.

Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shumëkërkuar nga Policia e Tiranës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “End”.

Si rezultat i këtij operacioni, në zonën e Ish-Fushës së Aviacionit, ditën e sotme, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi Eduart Kurti, 48 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasja me dashje, në rrethana të tjera cilësuese, pasi në vitin 2012, në Tiranë, 48-vjeçari, ka vrarë me armë zjarri dy vëllezërit, shtetasit I. H., 44 vjeç, dhe S. H., 41 vjeç.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.