Një 51-vjeçar, i identifikuar si Fehmi Meziu, i dënuar me 13 vjet burgim, nga Gjykata e Apelit në Napoli, për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni, është arrestuar nga policia e Dibrës.
Meziu është administratori i klubit të futbollit “Korabi” në Dibër. Autoritet ligjzbatuese shqiptare po vijojnë punën për ekstradimin e 51-vjeçarit me qëllim vuajtjen e dënimit në shtetin italian.
“Si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve në kohë reale, të mbështetura dhe nga inteligjenca policore, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin, të një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, FAST Albania, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rezultati”, i zhvilluar në qytetin e Peshkopisë, në kuadër të të cilit, u lokalizua, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Fehmi Meziu (Mëziu), 51 vjeç, banues në Dibër”, thuhet në njoftimin e policisë.