I akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, kalon për gjykim dosja e kardiokirurgut Edvin Prifti

Gjykata e Posaçme kalon për gjykim dosjen në ngarkim të kardiokirurgut, Edvin Prifti.

Mjeku i njohur Prifti, akuzohet nga SPAK  për, “korrupsion pasiv” në 7 raste, “vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “pastrim parash”.

Prokuroria e Posaçme njofton se Prifti, me detyrë Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, si mjek kardiokirurg, ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar në të paktën 7 raste, pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Gjithashtu në momentin e arrestimit, nga kontrolli i banesës, dhe i zyrës së tij, janë sekuestruar shuma të konsiderueshme monetare në cash, të cilat Prifti nuk mund t’i justifikonte me burime të ligjshme dhe që dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale.

Më konkretisht shumat prej 256.800 Euro, 7.600 Dollarë Amerikanë dhe 15.435.000 Lekë.

SPAK bëri me dije se ka sekuestruar gjithashtu gjashtë llogari bankare të mjekut, me shuma monetare në vlerën prej 177.497 Euro, dhe 52.479.368 Lekë.

Shumat totale të parave të sekuestruara gjatë hetimit paraprak është 434 319 euro, 67 914 368 lekë, si dhe 7 600 USD.