Një ngjarje e rëndë u regjistrua dje në Devoll ku një 59-vjeçar ndërroi jetë pas një vizite në një klinikë dentare, ku kishte kryer një mbushje dhëmbi.
Sipas burimeve, 59-vjeçari Sh. D.ishte shoqëruar në klinikë nga dy djemtë, një kushëri dhe një grua e afërt. Pas përfundimit të trajtimit, që konsistonte në një mbushje dhëmbi, ai ka shfaqur shqetësime shëndetësore dhe ka thënë disa herë: “Nuk ndihem mirë”, përpara se të ndërronte jetë.
Paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një infarkt, ndërsa pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të përcaktojë përfundimisht shkakun zyrtar.
Ndërkohë, familjarët e 59-vjeçarit, në një komunikim jashtë kamerave, kanë deklaruar se nuk kanë asnjë pretendim dhe se vdekja ka qenë natyrale
Policia ka marrë në pyetje dentistin, i cili ka shpjeguar procedurat e ndjekura gjatë trajtimit. Gjithashtu, është sekuestruar kartela mjekësore e pacientit, ku janë pasqyruar të gjitha ndërhyrjet e kryera.