Filmi “Gracka” është një nga prodhimet e kinematografisë shqiptare në vitin 1983, që tregon se si dy prej oborrëtarëve të mbretit Zog rekurtohen nga agjenturat e huaja dhe futen ilegalisht në Shqipëri, por ata kapen dhe detyrohen të pranojnë gjithçka para hetuesve, ndërsa në fund vriten në tentativë për t’u arratisur.
Kjo është historia që tregon filmi, i cili nxjerr në pah zotësinë e Sigurimit të Shtetit për të kapur tradhtarët e Shqipërisë. Sigurisht, kjo ishte ajo që u shërbehej shqiptarëve në ato vite, të cilët ishin të detyruar të besonin gjithçka që thoshte Partia e Punës dhe diktatori Enver Hoxha.
Por historia është krejt ndryshe, të paktën sipas historianit Kastriot Dervishi, i cili thotë se ngjarja që tregohet në film është tjetërsuar për interest e partisë në atë kohë. Ai tregon se ngjarja e vërtet ka të bëjë me ushtarin Tahir Premçi nga Gjirokastra, i cili u arratis nga vendi për në Greqi, por u kap dhe u burgos. Ngjarjet që ndodhën më pas janë të denja për një film, por të tregohen siç duhet dhe jo sipas interesave.
Shkruan Kastriot Dervishi:
Radisti dhe polici
Në filmin “Gracka” është një skenë në të cilën radisti Refik (aktori Guljem Radoja), del nga qelia duke sulmuar rojen, por vritet pak metra larg objektit ku rrinte. Në fakt, bëhet fjalë për 30 vjeçarin Tahir Sulejman Premçi dhe ngjarja është krejt tjetër. Në vitin 1945 duke qenë ushtar në Gjirokastër, u arratis në Greqi. U kthye si desant dhe u arrestua. Duke qenë i paburgosur, arrin të manipulojë rojen e brendshme, Gani Rosën, të cilit i thotë se po ta lironte, do arratiseshin dhe të dy do dilnin jashtë Shqipërinë sepse xhaxhi i kish lënë Ganiut një pasuri të madhe. Në këtë mënyrë, më 28.10.1952 Tahiri dhe Ganiu dalin të armatosur nga paraburgimi i Degës së Punëve të Brendshme të Tiranës te selvia dhe marrin rrugën e Shëngjegjit. Atje, më 2.11.1952 pikasen se alarmi ishte dhënë; Ganiu arrestohet dhe Tahiri vritet (mund edhe të jetë vetëvrarë për të mos rënë i gjallë). Fotoja e tij u ekspozua në Muzeun e MPB-së dhe revistën “Në shërbim të popullit”. Gani Rosa u dënua me vdekje dhe u ekzekutua. Edhe bashkëshortja e tij u dënua për moskallëzim krimi.
Në foto Tahir Premçi