Për vite me radhë, ishte “vrasësi” më i kërkuar në Hjuston në shtetin e Teksasit, SHBA.
Për shumë njerëz që e njihnin, Geri Xhonson ishte një njeri i qetë, me një jetë private të zakonshme. Ai ishte mësues i psikologjinë dhe seksualitetit në gjimnazin e zonës ku banonte, dhe e kalonte kohën e lirë në shtëpi, duke u kujdesur për kopshtin dhe 2 macet e tij, Id dhe Ego.
Por në realitet, Xhonson ishte një agjent i fshehtë, që u paraqitej njerëzve të caktuar si një vrasës me pagesë. Gjatë karrierës së tij prej 5 dekadash, Xhonson e ndihmoi policinë të arrestonte mbi 60 persona, që provuan të punësonin një vrasës me pagesë. Ai përdori një sërë pseudonimesh, dhe krijoi një sërë personalitetesh komplekse për veten e tij.
Kishte dhuntinë t’i bënte njerëzit të flisnin hapur. Geri Xhonson u rrit në Luizianën rurale nga babai i tij marangoz dhe një nënë shtëpiake. Sipas të gjitha dëshmive, pati e një fëmijëri normale dhe të qetë. Shkoi në Vietnam, ku qëndroi 1 vit duke punuar në policinë ushtarake.
Më pas, punoi për një kohë të shkurtër si zëvendës/sherif në Luiziana. Ndërkohë në vitet 1970, kreu disa punë si një agjent i fshehtë për një departament policie në Teksas, duke i ndihmuar autoritetet të kapnin trafikantët e drogës. Në atë kohë, zbuloi se ishte shumë i zoti në këtë fushë.
“Nuk mendoj se trafikantët kanë dyshuar ndonjëherë se mund të isha polic, pasi që në fillim të kontaktit me ta, personaliteti im ishte shumë i çuditshëm”-deklaroi Xhonson në një intervistë për revistën “Texas Monthly” në vitin 2001. Por megjithë aftësinë si agjent sekret i policisë, në fillim tregoi pak interes për këtë fushë.
Sepse ëndrra e tij e vërtetë ishte të jepte kurse psikologjie në gjimnaze. Xhonson u diplomua për psikologji në Universitetin Shtetëror Mekniz në Luiziana dhe u transferua në Hjuston në vitin 1981, duke shpresuar të mbronte atje doktoraturën. Edhe pse iu refuzua kjo mundësi, Xhonson vendosi të qëndronte në Hjuston dhe të niste punë si hetues për zyrën e prokurorit të qarkut.
Pikërisht përmes asaj pune, Xhonson nisi të ndërtojë personazhin e një vrasësi me pagesë të rremë. Në vitin 1989, Departamenti i Policisë së Hjustonit mori një informacion se Keti Skot, një teknike laboratori 37-vjeçare, po kërkonte një vrasës me pagesë që mund të eleminonte burrin e saj.
Departamenti kontaktoi zyrën e prokurorit të rrethit, për të pyetur nëse dikush atje ishte i specializuar në rastet e vrasjeve me pagesë. Menjëherë vëmendja shkoi tek Geri Xhonson. “Geri, ti je vrasësi ynë!”- i tha shefi i tij. Vetë Xhonson e donte këtë punë, madje krijoi një emër dhe personazh të rremë për veten.
Ai nisi të prezantohej si Majk Kejn, dhe filloi të shndërrohej fizikisht në një motorist me pamje të egër, duke veshur xhinse të grisura dhe mbajtur në qafë një zinxhir të trashë me simbolin e një kafke prej argjendi. Ndërkohë në komunitetin e tij, Xhonson vazhdonte të shfaqej si profesor gjimnazi.
Xhonson dhe Skot ranë dakord të takoheshin në një bar. Atje, Skot i dha “Kejnit” një foto të burrit të saj, së bashku me udhëzimet se ku duhej ta kryente vrasjen. “Vendi i përsosur”- i tha ajo Xhonson, ishte një lagje aty pranë e banuar në shumicë nga zezakët, ku burri i saj shkonte shpesh me makinë.
“Është një strehë e trafikantëve dhe përdoruesve të drogës”- theksoi ajo. Keti i ofroi Xhonsonit 2500 dollarë për këtë punë dhe ai pranoi. “A je i sigurt që dëshiron të vritet yt shoq?” e pyeti ai. “Po,” u përgjigj ajo. Pak më vonë ia behu policia dhe e arrestoi.
Më vonë Xhonson dëshmoi në gjyqin e Skot, dhe tha se ajo nuk kishte dashur vërtet që burri i saj të vritej, por zemërimi ia kishte mjegulluar arsyen. Por kjo nuk e pengoi jurinë ta dënonte me 80 vjet burg për komplotin e vrasjes me pagesë. Ai rast e bëri të famshëm Xhonsonin. Shumë shpejt, departamentet e policisë në të gjithë Teksasin po kërkonin shërbimet e tij të fshehta. Gjatë viteve 1990-2000, Geri Xhonson vazhdoi të punonte si vrasës i rremë, ndërsa në përditshmëri punonte si profesor i psikologjisë dhe seksualitetit njerëzor në gjimnazin e zonës ku banonte.
Suksesi i radhës i Xhonson ishte demaskimi i një naftëtarit 31-vjeçar Roberts Hollidej. Ai i kishte thënë një balerine striptizi, se gruaja e kishte lënë për një burrë tjetër. Hollodej i kërkoi balerinës t’i gjente dikë që të vriste gruan e tij, në mënyrë që ai të fitonte kujdestarinë e plotë të fëmijëve të tyre.
Por balerina ia kaloi këtë informacion policisë, e cila vuri në dijeni Geri Xhonsonin. Duke u paraqitur si vrasës me pagesë, ai pranoi një pagesë prej 2500 dollarësh nga Hollidej për ta bërë të dukej sikur ish-gruaja e tij kishte vrarë veten, në kohë nur Hollidej do të ishte shumë larg, duke punuar në një platformë nafte në det të hapur.
Sapo ranë dakord për pazarin, shtrënguan duart. Pak sekonda më vonë mbërritën oficerët e policisë që i vunë prangat. Në një rast tjetër, 32-vjeçarja Kethrin Beizel, donte që Xhonson të vriste të dashurin e saj të martuar, pasi ai refuzoi të linte gruan e tij për të.
Disa nga rastet më të tmerrshme, përfshinin një baba që i kërkoi Xhonsonit të vriste gruan dhe fëmijën e tij të mitur, në mënyrë që ai të mund të merrte policat e sigurimit të jetës dhe më pas të bëhej një detektiv privat. Por edhe i një nxënësi të shkollës së mesme, që i ofroi Xhonsonit disa videolojëra dhe të gjitha kursimet e mbledhura në monedha në një qyp, në këmbim të vrasjes së një shoku klase me të cilin kishte konflikte të vazhdueshme.
Madje ai zbuloi një oficer policie, që donte të vriste ish-gruan e tij, për shkak se i kushtonte shumë mbështetja financiare e fëmijëve. Ndonjëherë, ai zhvillonte personazhe me detajet më të imtësishme, edhe pse raportohet se i kishte të panevojshme maskimet. Në rastin më të famshëm, ai u punësua nga Lin Killroi, një grua shumë e pasur, ish-zëvendës presidente e Grave Republikane të Hjustonit.
Killroi i kishte thënë në konfidencë një mikeshe se e urrente burrin e saj, manjatin e naftës Billi Killroi, por nuk donte të divorcohej prej tij. Sepse çifti kishte miliona dollarë pasuri dhe një djalë të mitur, dhe Lin nuk donte të humbte asnjërën. Kështu ra në kontakt me Geri Xhonsonin, ose “Kris”, siç iu prezantua ky i fundit.
Të dy biseduan në hollin e një hoteli, mbi dëshirën e saj për të vrarë të shoqin. Si pagesë gruaja i dha Xhonsonit bizhuteri me vlerë 200.000 dollarë, duke i thënë:”Bëj atë që duhet të bësh!”. Të nesërmen, emri i Lin Killroit ishte në të gjithë gazetat lokale, së bashku me historinë e komplotit të saj të dështuar.
“Ishte e njëjta histori e vjetër. Të pasurit duan më shumë, të varfrit duan më shumë. Që të gjithë duam më shumë. Pasuria nuk mjafton asnjëherë”- tha Johnson për “The Washington Post” në vitin 2001. Rastet të tjera përfshinin gra shtëpiake, një ekonomiste, frekuentues të rregullt të Kishës, madje edhe një imitues të Elvis Preslit.
Sipas Xhonson, askush nuk ishte imun ndaj joshjes së madhe nga kontakti me një vrasës me pagesë. Pasi ai mund t’i zhdukte në çast problemet e tyre. “Shumica e rasteve që kam zbuluar, kanë qenë njerëz që deri në atë moment kishin respektuar rreptësisht ligjin. Shumica nuk kishin asnjë gjobë si drejtues të makinës së tyre. Ndërkohë, kishin një zhgënjim të madhe me vendin e tyre në këtë botë, saqë mendonin se nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të eliminonin cilindo që u shkaktonte zhgënjim.
Ata të gjithë po kërkonin zgjidhjen e shpejtë të problemit, e cila është bërë mënyra amerikane e jetesës. Sot njerëzit mund të paguajnë për të rregulluar televizorët dhe për të mbledhur mbeturinat e tyre. Ndaj pse të mos më paguajnë mua, një vrasës, për të rregulluar jetën e tyre?”- shprehej ai.
Xhonson nuk ka pasur asnjëherë një marrëdhënie romantike me ndonjë nga klientët e tij. Historia e tij e pazakontë,j tërhoqi vëmendjen e producentëve të Hollivudit. Këtë vit, Netflix ka publikuar filmin e frymëzuar nga jeta e tij, Hitman, me regji të Riçard Linkleter.
Përvoja si vrasës me pagesë, e bëri atë të mos u besonte të tjerëve, dhe të bënte një jetë relativisht të vetmuar. “Unë u besoj vetëm njerëzve të vdekur dhe armiqve të mi, sepse e di se ku qëndrojnë”- thotë ai. “Janë miqtë, të afërmit, kolegët dhe dashnoret apo dashnorët e tu, ata që të vjedhin dhe të bëjmë gjëmën”- theksonte ai. Në jetën e tij personale, Xhonson u divorcua tre herë, dhe kujtohet nga studentët e tij si një njeri i butë. Geri Xhonson vdiq në vitin 2022.