Biznesmeni Elman Abule, është pyetur për 4 orë nga prokurorët e SPAK lidhur me hetimet që po bëhen ndaj kryebashkiakut, Erion Veliaj.
Abule, i cili ndodhet në masën “arrest shtëpie”, mbërriti në SPAK i shoqëruar nga efektivët. Në dosjen e kryebashkiakut, ai akuzohet për pastrim parash.
Elman Abule u vendos në pranga më 10 Shkurt, ditën kur u arrestua edhe kryebashkiaku i Tiranës, por më datë 13 Mars, Apeli i GJKKO zbuti masën e sigurisë ndaj tij, duke e lënë në “arrest shtëpie”
Biznesmeni u urdhërua që të mos largohej nga banesa e tij, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton.
Erion Veliaj u arrestua më datë 10 Shkurt, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, ndaj së cilës u vendos fillimisht “arrest shtëpie” ndodhet në masën “detyrim paraqitje”. E njëjta masë u vendos edhe për 5 biznesmenët: Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.