Hetimet për 21 Janarin, xhaxhai i Aleks Nikës flet pas takimit me kreun e SPAK

Xhaxhai i Aleks Nikës, një prej viktimave të 21 Janarit është takuar sot me kreun e SPAK, Klodjan Braho, sa i takon hetimeve për këtë çështje.

Pas takimit në SPAK, Mark Nika u ndal në një komunikim për mediat duke thënë se kishte qenë ai që kishte kërkuar një takim më Brahon.

Nika tha se hetimi për 21 Janarin duhet të jetë i shpejtë, ndërsa shtoi edhe njëherë se kërkojnë drejtësi.

“Më thanë që po punojnë”- tha Mark Nika për gazetarët para dyerve të Prokurorisë së Posaçme.

“Takova Klodjan Brahon, me kërkesën time. Më tha se po punohet maksimalisht për hetimin, edhe pse neve na duket i zvarritur. Nuk janë pyetur deri tani shumë persona që duhet të ishin pyetur. Kasetën ende s’e kanë çuar për ekspertim. Ne e dimë se kush janë vrasësit, por puna është ta zbardhë drejtësia”- u shpreh ai.