Kryetari i Partisë Demokratike të vulës, Lulzim Basha, ka njoftuar se brenda këtij muaji partia e tij do të paraqesë në Kuvend 2 amendamente:
1-Të hiqet imuniteti i deputetëve para ndjekjeve penale nga SPAK-u; 2- Deputeti të mbajë përgjegjësi për deklaratat që bën.
Sipas tij, deputeti nuk mund të ketë imunitet kur SPAK ndërmerr një hetim ndaj tij, teksa përsa i përket amendamentit të dytë, ai shprehet se çdo denoncim i deputetit nga aula e Kuvendit, duhet të jetë burim për hetim nga prokuroria.
Por a do të mbështeten 2 amendamentet e Bashës nga mazhoranca?
SPAK ka vënë nën shënjestër çdo politikan të korruptuar, teksa deri më tani janë socialistët ata që kanë rënë në rrjetën e tij, pasi kanë më shumë se 10 vite në pushtet dhe kanë abuzuar me buxhetin e shtetit dhe taksat e qytetarëve sipas dëshirave të tyre. Duke parë që SPAK po heton edhe disa çështje ku janë të përfshirë ish-ministra, vështirë se Rama do të lejojë që të tjerë socialistë të bien shpejt në “kthetrat” e drejtësisë, siç është rasti i Olta Xhaçkës, për të cilën edhe Gjykata Kushtetuese po e zvarrit çështjen.
Pavarësisht se votimi i këtyre amendamenteve duket i vështirë, Lulzim Basha duket se ka në dorë miratimin e ligjit për dyfishimin e pagave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në rast se amendamentet e tij nuk votohen, ka gjasa që edhe ai të tërheqë votat pro për rritjen e pagave në Kushtetuese, pa të cilat mazhoranca e vetme nuk mund ta miratojë këtë ligj.
Ndaj, nuk përjashtohet mundësia e një marrëveshje mes tij dhe Ramës, marrëveshje që do të sillte miratimin e amendamenteve të Bashës dhe ligjit për pagat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Postimi i Bashës:
Brenda këtij muaji ky amendament do të paraqitet nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë:
Të hiqet imuniteti i deputetëve para ndjekjeve penale nga SPAK-u.
Deputeti të mbajë përgjegjësi për deklaratat që bën.
Deputeti nuk duhet të ketë imunitet mkur SPAK ndërmerr një hetim ndaj tij. Pse një fermer për një kredi të vogël shkon pa imunitet te prokurori, madje shkon dhe në paraburgim, kurse një deputet apo ministër që akuzohet se ka vjedhur 5, 50 apo 200 milionë euro nuk shkon dot pa iu hequr imuniteti me tam tame e ceremoni? E ndërkohë merr arratinë sepse e ka marrë vesh e gjithë bota siç është rasti i ish-zëvendëskryeministrit të Edi Ramës? Ky është sot burim i pengesave të drejtësisë për të vendosur para ligjit pushtetarët, deputetët, ministrat e korruptuar.
Po kështu ne do kërkojmë që Deputeti të mbajë përgjegjësi për deklaratat e tij. Dy entitete nuk mbajnë përgjegjësi sot për atë që thonë: deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe personat me kartelë psiqike. Salla e Kuvendit, është kthyer në një sallë banalitetesh. Kjo duhet të marrë fund. Çdo denoncim i deputetit nga aula e Kuvendit, duhet të jetë burim për hetim nga prokuroria. Dhe hetimet ose do të çojnë para drejtësisë ata që deputeti denoncon, ose do të çojë para drejtësisë deputetin si gënjeshtar, mashtrus dhe shpifës. Vetëm kështu i japim fund politikës së privilegjeve për pushtetarët, për të ofruar politikën në shërbim të njerëzve.