Hapet “pandora”, 8 arrestime nga SPAK me dosjen Ahmetaj, ish ministri drekon në Kembrixh

Elton Qyno


Teksa janë mbushur pak orë nga vendimi i Kuvendit të Shqipërisë, për miratimin e kërkesës së Prokurorisë SPAK, duke dhënë autorizimin për arrestimin e ish-Ministrit të Financave njëherësh dhe ish-zv/kryeministrit, Arben Ahmetaj, tashmë dosja penale i është transferuar gjykatës.
Materiali voluminoz për Arben Ahmetaj dhe persona të tjerë, është zbritur në gjykatë për analizim dhe tashmë vlerësimi final i arrestitit, pritet të firmoset në vijim nga gjyqtari Erjon Bani.
Bani, është gjykatësi që ndjek vijushmërinë e hetimeve paraprake të procedimit penal nr.277/1 dhe domosdoshmërisht brenda javës që vjen duhet të dalë me një vendim gjyqësor, ku do pranojë ose jo arrestimin e Ahmetaj.
Por mësohet se në këtë dosje nuk është vetëm emri i Arben Ahmetaj, por dhe i personave të tjerë.
Një burim pranë SPAK, tha se mes personave të tjerë që është kërkuar arrestimi, mësohet të jetë emri i Mirel alias Klodian Mërtiri, Klodian Zoto, të cilët megjithëse janë shpallur në kërkim për inceneratorin e Elbasanit, tashmë akuzohen sërisht për episod tjetër penal.
“…duket se në total janë 6 deri në 8 persona që SPAK, ka kërkuar nga gjykata e posaçme vendosje e masës së arrestit…”-thanë burimet.
Zërat flasim se SPAK ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë edhe për Erjola Hoxhën, bashkëjetuesen e Arben Ahmetaj, e cila njësoj si Arben Ahmetaj është përfituesja kryesore e pasurive të rrjedhura nga vepra penale e korupsionit.
Gjithashtu pjesë e listës, janë disa emra biznesmenësh, të cilët kanë përdorur “tranpolina” financiare për llogari të Arben Ahmetaj. Disa nga biznesmenët, emra e të cilëve dolën dhe në relacionin që SPAK i vuri në dispozicion Këshillit të Mandateve, njësoj si Ahmetaj janë larguar nga Shqipëria, pas frikës së arrestimit të mundshmë nga SPAK.
Por teksa SPAK është në fazën finale të nxjerjes së urdhër-arresteve, mësohet se ditën e sotme ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, ka qëndruar në zonën e “Kembrixh” në Londër.
Ahmetaj ka qëndruar duke drekuar nën shoqërinë e një biznesmeni Shqiptar, i cili prej disa kohësh është zhvendosur me banim në Angli dhe që së fundi është përfshirë dhe në botën e medias në Shqipëri.
Në rast se gjyqtari Erjon Bani, vendos të caktojë masën e “Arrestit në burg”, atëherë Arben Ahmetaj, e pret në Angli një përballje gjyqësore për ekstradimin ose jo të tij.
Kjo pasi SPAK, do kërkojë me çdo kush ekstradimin e tij në Shqipëri me qëllim ballafaqimin me akuzat në gjykatë.
Arben Ahmetaj, akuzohet nga dy prokurorët e SPAK Altin Dumani dhe Enkelejda Millonai, për akuzën e “Fshehjes së pasurisë”, “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.