Hantavirusi në qendër të vëmendjes një vit më parë: shkaktoi vdekjen e fituesit të çmimit Oscar, Gene Hackman dhe gruas së tij

Shpërthimi i hantavirusit i zbuluar në anijen turistike MV Hondius, që ka shkaktuar raste të dyshuara infektimi dhe viktima, prej ditësh ka rikthyer vëmendjen te virusi që mund të transmetohet nga brejtësit te njerëzit. Gjashtë vite pas fillimit të pandemisë COVID-19, ai ka rikthyer gjithashtu frikëra dhe plagë që ende nuk janë shëruar plotësisht në opinionin publik, shkruan TgCom.

Megjithatë, nuk bëhet fjalë për një virus të panjohur. Hantavirusi kishte tërhequr vëmendjen botërore edhe një vit më parë, në dimrin e vitit 2025, kur lidhej me vdekjen e aktorit fitues të çmimit Oscar, Gene Hackman, 95 vjeç, dhe bashkëshortes së tij Betsy Arakawa, 65 vjeçe. Ata u gjetën të mumifikuar në vilën e çiftit në Santa Fe.

Sipas hetimeve mjeko-ligjore, Arakawa dyshohet se humbi jetën më 11 shkurt 2025 si pasojë e një sindrome pulmonare të shkaktuar nga një infeksion i rëndë respirator i lidhur me kontaktin me brejtës të infektuar me hantavirus. Aktori fitues i Oscarit ndërroi jetë disa ditë më vonë nga insuficienca kardiake, e përkeqësuar nga Alzheimeri në stad të avancuar.

Pamjet e publikuara nga kamerat trupore të policisë zbuluan gjithashtu një detaj që ndihmoi në lidhjen e ngjarjes me virusin: praninë e shumtë të brejtësve në pronën e çiftit.

Rasti i trajnerit austriak

Një tjetër rast, i regjistruar në vitin 2012, përfshiu trajnerin austriak Ralph Hasenhüttl, i cili pati më shumë fat.

Sipas vetë Hasenhüttl, virusi e goditi papritur teksa po pastronte verandën e shtëpisë. Simptomat e rënda nisën menjëherë më pas.

“Të ngrihesha nga shtrati ishte një sforcim i jashtëzakonshëm, frymëmarrja dukej e pamundur. Kisha dhimbje kudo dhe një lodhje që nuk e kisha provuar kurrë më parë”, tregoi trajneri, duke shtuar se kishte pasur frikë për jetën.

Fatmirësisht, në rastin e tij ndërhyrja e shpejtë e mjekëve rezultoi vendimtare.

“Ndihma e tyre ishte thelbësore. Pa mbështetjen e vazhdueshme të mjekëve nuk e di si do t’ia kisha dalë”, u shpreh ai.