Shqipëria ëhstë përballur ditët e fundit me sulme të vazhdueshme kibernetike, të cilët kanë nxjerrë “offline” disa nga faqet e institucioneve shtetërore dhe private.
Grupi i njohur si “Noname,” i dyshuar si hackera rusë, është përfshirë në sulmet DDoS në disa faqe interneti në Shqipëri.
Nuk dihen synimet e këtij grupi, por ndër faqet që janë sulmuar përfshihen Porti i Durrësit, faqja zyrtare e Bashkisë së Tiranës dhe Parlamenti. Ndërsa disa faqe të tjera, përfshirë ato të bankave si Raiffeisen dhe UBA, janë përfshirë në këtë valë sulmesh por tashmë janë online përsëri.
Por çfarë janë sulmet DDos?
Një sulm DDoS, ose Distributed Denial of Service, është një lloj sulmi në rrjet që ka për qëllim të bëjë një faqe të internetit të jetë e padisponueshme për vizitorët e saj. Ky sulm ndodh kur një grup i madh kompjuterash apo pajisjesh të infektuara ose të kontrolluara nga sulmues të dërgojnë një shumëllojshmëri të madhe kërkesash të njëkohshme në një faqe të internetit.
Këto kërkesa të shumta të trafikut mund të ngarkojnë infrastrukturën e faqes tuaj të internetit deri në pikën ku ajo nuk mund të përgjigjet më për kërkesat e vërteta të vizitorëve. Kjo shkakton një gjendje të padisponueshmërisë dhe ndikon negativisht përvojën e përdoruesve. Aktualisht, ndërsa faqet janë të aktivizuara, ekziston frika e sulmeve kibernetike me teknika më të avancuara.