“Hajdut! Turp!”, Protesta para bashkisë së Tiranës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Erion Veliajt pas skandalit me tenderat

Para Bashkisë së Tiranës qytetarët po mbajnë një protestë ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Ata i janë drejtuar bashkisë me brohorimat: Hajdut! Turp!

Policia ishte njoftuar për protestën por nuk ka bllokuar trafikun, duke bërë që të krijohet kaos me makinat.

Ndërkohë para godinës së bashkisë janë me dhjetëra policë në mbrojtje të institucionit.

Belind Këlliçi, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi i janë bashkuar protestës para bashkisë.

“Veliajt i kanë ngrënë mollë dhe fiq pas kurrizit. Jemi në momentet e para dhe nuk kuptojmë pse policia nuk ka bllokuar qarkullimin. Qëllimi në mënyrë të padiskutueshme është  largimi nga zyra i një banditi që çdo ditë futet brenda për të vjedhur taksat tona,  për t’u pasuruar në kurriz të qytetarëve të Tiranës dhe për të vjedhur milionat e eurove te inceneratori i Tiranës dhe te bandit e tij te 5D-ja. Po hapim sagën e protestave që do të kullojë me largimin e Erion Veliajt”, tha Këlliçi.

Protesta vjen pas arrestimit të 5 drejtorëve të kësaj bashkie për abuzime me tenderët dhe përfitimin e milionave me kompaninë “5D”.

Më pas, qytetarët do të zhvendosen para Prokurorisë së Posaçme për t’i njoftuar kërkesën.

Protesta është organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ndërsa i janë bashkuar partitë opozitare dhe qytetarë.

Kujtojmë se më 28 mars u lëshuan urdhër-arreste për 3 drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha, ndërsa 6 zyrtarë të tjerë u lanë në detyrim paraqitje. Tusha u arrestua në dhjetor të 2023-shit dhe ndodhet nën akuzë edhe për aferën me inceneratorin e Tiranës.

Nga hetimet e SPAK-ut rezulton se drejtorët e Veliajt kishin krijuar kompaninë “5D” dhe kishin përfituar dhjetëra tenderë të bashkisë.

Në bisedat e punonjësve përmendet edhe kryebashkiaku i Tiranës për aksione në një hotel të Redi Mollës në Durrës, por Veliaj e mohoi.