Grabitës të panjohur kanë shfrytëzuar qetësinë e periudhës së Krishtlindjeve për të hyrë në kasafortën e një banke gjermane dhe për të vjedhur para dhe sende me vlerë që kapin shumën e të paktën 10 milionë eurove.
Sipas autoriteteve, autorët kanë shpuar një mur të trashë betoni në një degë të bankës Sparkasse në qytetin perëndimor Gelsenkirchen, duke depërtuar më pas në kasafortë dhe duke hapur disa mijëra kuti sigurie të klientëve. Vlera e sendeve të vjedhura vlerësohet në dhjetëra milionë euro.
Në Gjermani, shumica e dyqaneve dhe bankave mbyllen gjatë periudhës së Krishtlindjeve, që nis nga mbrëmja e 24 dhjetorit. Policia e zbuloi vjedhjen vetëm pasi një alarm zjarri u aktivizua në orët e para të mëngjesit të së hënës, më 29 dhjetor.
“Nuk kam fjetur fare mbrëmë. Nuk po marrim asnjë informacion,” tha një qytetar për transmetuesin Welt, duke shtuar se kishte përdorur kasafortën prej 25 vitesh dhe aty mbante kursimet për pleqëri.
Një zëdhënës i bankës Sparkasse në Gelsenkirchen nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.
Policia bëri të ditur se dëshmitarë kanë raportuar se të shtunën në mbrëmje kanë parë disa persona që mbanin çanta të mëdha në shkallët e një parkingu ngjitur me bankën.
Po ashtu, ka raportime se herët në mëngjesin e së hënës nga parkingu është larguar një Audi RS 6 i zi me persona të maskuar brenda. Targat e automjetit i përkisnin një makine të vjedhur në Hanover.