Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha sot se qeveria kishte refuzuar Jennifer Lopez për të dhënë koncert në Shqipëri, pasi sipas tij ylli latin kishte kërkuar 2 milionë euro garanci nga protestat.
Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ministri tha se qeveria e ka të pamundur të jap këtë shumë, duke e refuzuar për momentin.
Ndërkohë në komision po diskutohet Akti Normativ i Qeverisë për financimin prej 4,2 milionë eurosh për zhvillimin e koncertit të Kanye West.
Gonxhja: Për Jennifer Lopezin që më pyetët…
Zhupa: Do i jepni 4.3 milionë euro edhe asaj?
Gonxhja: Jo. E kemi refuzuar për momentin se kërkonte 2 milionë euro garanci nëse do të ketë protesta. E kemi refuzuar se nuk ia japim dot 2 milionë euro. Kjo është kostoja e destabilizimit të vendit. Për ata që e duan JLo në Tiranë, ta dinë që nuk e japim dot këtë garanci sepse na është dukur e pamundur për t’ia ofruar.
Zhupa: Se e pa ajo që nuk shiten biletat…
Gonxhja: Ishte para aktit normativ.