Marjana Koçeku tregon momentin kur mori vendimin për largimin nga PS

Deputetja e larguar nga radhët e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku ka treguar se protesta qytetare ishte shtysa e madhe për vendimin e saj.

Në një intervistë për News24, Koçeku ka thënë se mendimi për tu larguar ka qenë mëi hershëm, por protesta përforcoi bindjen e saj për tu larguar nga PS.

“Si çdo proces tjetër, ky vendim ka marrë kohën time për ta menduar dhe për ta shtjelluar se si do ta realizoja dhe kur do të ishte momenti i duhur. Ka pasur momente të herëpashershme që më kanë shtyrë drejt këtij vendimi, por ishte protesta ajo që ma përforcoi bindjen për ta ndërmarrë këtë hap.”

Protesta më motivoi shumë për këtë vendim, si diçka frymëzuese, që vjen nga brezi im, gjenerata e re që i përkas. Ka pasur një histori ngjarjesh që kanë ndodhur prej 10 muajsh që më kanë shtyrë drejt idesë që nuk i përkas këtij grupi partiak. I kam ngritur dhe si problematika.

I kam folur këto çështje dhe në mbledhje, në lokalitet, apo dhe në mbledhje qendrore. Kam folur për çështjen e Drinit, ku jam rritur. Nuk kam marrë përgjigjen që kam dashur”- tha Koçeku.

Deputetja tha se edhe ish-kolegë të saj socialistë janë të pakënaqur të cilët po ashtu e kanë mbështetur në vendimin e saj, por duke mos dhënë emra.

“Këto kohë kam parë pakënaqësi të anëtarëve të PS, deputetëve që nuk i kanë shpalosur gjatë mbledhjeve por ka qenë pakënaqësi lehtësisht e lexuar. Shpresoj që të gjejnë kurajon pavarësisht përkatësisë politike dhe të qëndrojnë për ato vlera dhe besime që ato kanë dhe të zgjedhin të kryejnë funksionin për të cilin të gjithë jemi aty, për të përfaqësuar interesin e shqiptarëve dhe për të punuar për vendin tonë. Përderisa më kanë mbështetur privatisht, dua të respektoj privatësinë e tyre. Janë disa, nuk janë pak. “, tha ajo.