Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka dalë në një konferencë për mediat ku ka dhënë detaje në lidhje me operacionin në bashkëpunim me SPAK, Eurojust ku u godit një grup që trafikonte emigrantë.
Në total janë lëshuar 35 urdhër arreste, nga të cilat janë ekzekutuar 26. 5 persona janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë ndodhen jashtë vendit.
Operacioni është zhvilluar në disa qytete të vendit, ku u angazhuan rreth 500 forca policore ndërsa hetimet vijojnë prej 2 vitesh.
Ndërkohë u sekuestrua edhe një laborator ku falisifikoheshin pasaporta të shteteve të BE-së. Rrumbullaku tha se kalimi në kufi bëhej me dokumentet e tyre personale të rregullta, por dokumentet e falsifikuara u niseshin me postë në hotelin ku qendronin.
“Janë sekuestruar 7 automjete, 1 laborator për falsifikimin e parave, 10 pasaporta italiane, një armë zjarri, 10 laptopë, 15 kompjutera që shërbenin për transaksione, lëndë narkotike, 47 aparate celularë dhe varëse floriri. Subjektet kryenin aktivitet të jashtëligjshme, ku merrnin para për të falsifikuar dokumente”, tha Rrumbullaku.