Gjyqi i Fredi Belerit/ Dëshmia kontradiktore e të infiltruarit për shpërblimin, Prokuroria kërkon të rimarrë në pyetje Arsen Ramën

Në Gjykatën e Posaçme janë zhvilluar disa seanca për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin, i cili akuzohet për korrupsion zgjedhor dhe mbahet në burg prej 12 Majit, dy ditë para zgjedhjeve lokale.

Arsen Rama, i cili ishte edhe i infiltruari i Policisë, ka dëshmuar javën e kaluar me dyer të mbyllura për këtë çështje. Por dëshmia e tij në gjyq rezulton të jetë kontradiktore me ato çfarë ka deklaruar ai gjatë hetimeve të dosjes nga Prokuroria e Posaçme.

Kontradikta në dëshminë e tij qëndron te shpërblimi që ai ka deklaruar se ka marrë nga Policia. Në hetime ai ka deklaruar një shumë të përfituar për këtë punë që do të bënte, ndërsa në gjyq nuk i është përgjigjur kësaj pyetje.

Gjithashtu një tjetër kontradiktë në dëshminë e Arsen Ramës është edhe momenti që ka shkuar për të marrë shpërblimin. Gjatë hetimeve ai ka thënë se ka shkuar vetëm, ndërsa në seancën e gjyqit deklaroi se ka shkuar me vëllanë e tij.

Burime nga pala mbrojtëse e Fredi Belerit i ka mundësuar Media Ditarit një material audio nga zhvillimi i procesit në Gjykatën e Posaçme, ku prokurorja Dorina Bejko deklaron se do të kundërshtojë një pjesë të dëshmisë së Ramës dhe do ta rimarrë në pyetje.

Biseda në sallën e gjyqit mes Prokurores Dorina Bejko, avokatit Edmond Dëma dhe trupit gjykues:

Prokurorja: Në fakt, në lidhje me pyetjen e fundit që u pyet dëshmitari, sepse i pyetur nga ana juaj…

Avokati: Keni edhe ju kundërshtim?

Prokurorja: Po, të pjesshëm. Vetëm për momentin e fundit në lidhje me shpërblimin që ka deklaruar dëshmitari

Avokati: Po s’është pyetur ai, s’ka bërë deklarim

Prokurorja: Ju e keni pyetur nëse ka diçka për të shtuar dhe ai ka thënë se nuk ka hollësi në lidhje me raportin dhe nuk na i ka vënë në dijeni

Avokati: Çfarë rëndësie ka? A e ka të deklaruar që ta kundërshtoni? Jo, s’ka rëndësi

Trupi gjykues: Ju po thoni që në hetime ai ka deklaruar se ka shkuar vetëm, ndërsa këtu deklaron se ka shkuar me vëllain e tij

Prokurorja: Ne kemi kërkesën e fundit. Ne duam të kundërshtojmë pjesëne fundit që dha dëshmitari sepse i pyetur nga ana jonë ai nuk ka dhënë dëshmi për këtë fakt që doli dhe për më tepër nuk e saktësoi çfarë shpërblimi ka marrë dhe ëpr çfarë arsye është marrë shpërblimi

Avokati: Thërriteni e nderuar. Tërhiqni aktet dhe pyeteni

Trupa gjykuese: I keni ju procesverbalet ku ai ka dhënë këto deklarime të rëndësishme?

Prokurorja: Po, i kemi. Kemi 3 procesverbale

Trupa gjykuese: A mund të na i depozitoni pak?

Prokurorja: Po, patjetër. Janë procesverbale të datës…

Trupa gjykuese: Në të treja ka dhënë deklarime për këtë fakt?

Prokurorja: Ne e kemi pyetur, a keni gjë tjetër për të shtuar dhe ai nuk ka dhënë shpjegime në lidhje me këtë fakt