Gjykata liron nga burgu vëllanë e deputetit Eduart Ndreca, u arrestua dy ditë më parë për kultivim kanabisi në Lezhë

Armando Ndreca, vëllai i deputetit socialist Eduart Ndreca, i akuzuar për kultivim kanabisi është liruar nga gjykata ditën e sotme.

Gjykata e Lezhës i ka caktuar masën “detyrim paraqitje” dhe e ka konsideruar të paligjshëm ndalimin e tij.

Dy të arrestuarit e tjerë janë lënë në burg, me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike.

Armel Nikdukaj dhe Elvis Shpellazi dolën sot para gjykatës rreth orës 10:00 ndërsa për Ndrecën, seanca u mbajt pak më vonë.

Policia njoftoi dy ditë më parë se “u bë imundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të këtij rasti, shtetasve A. N., 27 vjeç dhe E. Sh., 28 vjeç, të dy banues në Koplik. Më tej, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast u ndalua dhe shtetasi A. N., 32 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se është i përfshirë në këtë veprimtari kriminale”.