Gjykata lë në burg ish-luftëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhajn

Gjykata e Tiranës ka lënë sërish në burg ish luftëtarin e UÇK-së Dritan Goxhaj, i arrestuar për llogari të Gjykatës Speciale.

Avokati i tij Bashkim Nikolla ka kërkuar lirimin e Goxhajt për shkak se ka kaluar afati 40 ditor i dhënë nga Gjykata pas arrestimit të klientit të tij, por gjykata e rrëzoi kërkesën me arsyen se është e pambështetur në ligj e në prova. Por Nikolla pretendon se nuk ka asnjë kërkesë për ekstradim nga shteti kërkues.

“Me sa duket drejtësia jonë nuk e ka vrarë ende frika. Nuk ka një kërkesë në reciprocitet që të ketë ardhur që të thotë kërkesë për ekstradim. Kërkesa jonë për ndërrimin e gjyqtares është hedhur poshtë si e pabazë”, tha ai.

Goxhaj akuzohet për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.