Gjykata e Posaçme nuk vendos sot, shtyhet për nesër seanca ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha

Gjyqtarja e Posaçme Irena Gjoka ka vendosur të shtyjë për nesër seancën ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin SPAK ka kërkuar “arrest shtëpie”, si i përfshirë në privatizimin e paligjshëm të kompleksit Partizani.

Seanca e radhës do të fillojë nesër në orën 11:00, teksa Berisha sot vendosi të mos shkojë vetë, por të përfaqësohet nga avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi.

Avokatët e Berishës kërkuan që në fillim të seancës përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka për njëanshmëri, pasi vetë ish-kryeministri ka deklaruar se e ka shkarkuar gjyqtaren nga detyra në vitin 1996, ndaj Gjoka ka konflikt interesi në këtë çështje.

Gjyqtarja Irena Gjoka ka kërkuar që kjo kërkesë të depozitohej me shkrim në sekretari, kërkesë e cila do të shqyrtohet nga një tjetër gjyqtare.