Gjykata e Lartë ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO-së të vitit 2021 për çështjen ndaj Emiljano Shullazi dhe bashkëpunëtorëve të tij, të akuzuar për gjobëvënie dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Genti Shala dhe Enton Dhimitri, në dhomë këshillimi, ka konfirmuar dënimin total prej 43 vitesh burg për katër të pandehurit kryesorë.
Sipas vendimit të formës së prerë të dhënë më herët, Emiljano Shullazi është dënuar me 14 vite burg. Ndërkohë, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela janë dënuar me nga 10 vite burg secili, ndërsa Blerim Shullazi është dënuar me 9 vite burg.
Për Gilmando Danin, Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit, pasi ai ka ndërruar jetë.
Sipas të dhënave të çështjes, Dani dhe të pandehurit e tjerë, me përjashtim të Emiljano Shullazit, kishin qenë më herët të liruar dhe më pas u përfshinë në ngjarje të dhunshme. Ai u ekzekutua në nëntor të vitit 2025 në zonën e Rrethrrotullimit të Rinasit, së bashku me një tjetër person.
Ndërkohë, Emiljano Shullazi vijon të jetë në qeli edhe për dy dosje të tjera të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Njëra lidhet me hetimet për vrasjet e vitit 2005 të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, ndërsa tjetra, e koduar “Revanshi”, ku ndaj tij është kërkuar dënim me 10 vite burg për sigurim kushtesh për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal.