Gjykata e Hagës nuk i ka dhënë leje ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tij, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë. Mediat në Kosovë bëjnë me dije se Gjykata ka refuzuar kërkesën e Thaçit, ndërsa babi i tij përcillet sot për në banesën e fundit.
Lidhur me këtë vendim pati shumë reagime ndërsa Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i kanë bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa.
“I bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave të drejtave të njeriut, institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe Shqipërisë që të reagojnë fuqishëm ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten, sepse të drejtat themelore nuk duhet të jenë objekt i abuzimit apo i hakmarrjeve.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do ta toleroj heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj shkeljeve, abuzimeve dhe trajtimit përçmues që po iu bëhet bashkëluftëtareve tanë nga Gjykata Speciale në Hagë!”- thuhet në reagimin e tyre.
Kujtojmë se Haxhi Thaçi ndërroi jetë dy ditë më parë pasi prej kohësh po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës.
Hashim Thaçi e vizitoi të atin pak ditë para se ai të ndërronte jetë, pasi mori leje nga Gjykata e Hagës. Por kjo e fundit nuk i dha sërish leje për t’u kthyer në Kosovë për ceremoninë mortore.