GJKKO rrëzon kërkesën e Safet Gjicit për masë më të lehtë sigurie

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici, për lehtësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Ai ndodhet në burg prej 24 Qershorit, kur u arrestua në një lokal në afërsi të banesës së tij, pasi akuzohet për korrupsion pasiv. Hetimi për Gjicin nisi pas publikimit të një video, ku ai shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë në zyrën e tij në Bashkinë e Kukësit.

Në pjesën e dytë të videos, vajza me të cilën kreu marrëdhënie seksuale i kërkonte Gjicit një tender për strehimin dhe kujdesin e qenve endacakë në qytet, çfarë bëri që akuza e SPAK të kalonte nga “shpërdorim detyre” në “korrupsion pasiv”.

Për Alma Kaçin, vajzën në video, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, teksa tashmë pritet vendimi përfundimtar i GJKKO, pasi hetimet janë mbyllur.