Gjykata e Posaçme ka hequr masat që rëndonin ndaj Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut, Erion Veliaj.
Në seancën e sotme, GJKKO pranoi kërkesën e Xoxës për heqjen e masës së sigurisë “detyrimin për t’u paraqitur” dhe për “ndalimin e daljes jashtë shtetit” për shkak të gjendjes shëndetësore.
Ajo do të gjykohet në gjendje të lirë, pasi ndaj saj nuk ka më asnjë masë sigurie.
Kujtojmë se Prokuroria ka ngritur 13 akuza ndaj Erion Veliajt, duke përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për fshehje të të ardhurave, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.
Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme në 9 raste, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme.