Gjykata e Posaçme ka dhënë dënimet për biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe ish-shefin e Policisë, Ardit Hasanbegaj, pjesë e dosjes ‘Metarmofoza’.
Gjoka është dënuar me 9 vite burg dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i ulet në 6 vite burg.
Gjoka u shpall fajtor për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” ndaj Kleanthi Musabellit, Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Korrupsion aktiv i funksionarëve të sistemit të drejtësisë”. Ndërkohë u shpall i pafajshëm për akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Ndërkohë Hasanbegaj u dënua me 7 vjet e 6 muaj burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 5 vite burg. Hasanbegaj u shpall fajtor për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” ndaj Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, si dhe për “Grup të strukturuar kriminal”.
Po ashtu atij i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike.