Gjykata e Posaçme ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim Fatime Kryemadhin, nënën e ish-deputetes Monika Kryemadhi.
Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i saj është ulur në 5 vite burg. Pavarësisht dënimit, për shkak të moshës, gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke e vendosur atë në shërbim prove për një periudhë prej 2 vitesh.
Nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, ishte përballur me akuzën e pastrimit të parave në bashkëpunim. Sipas dosjes hetimore të SPAK, dyshimet ndaj saj lidhen me përdorimin e shumave të mëdha të parave cash për të shlyer kredi bankare të marra për blerjen e pronave të paluajtshme.
Sipas Prokurorisë, ajo nuk kishte mundur të provonte origjinën e ligjshme të disa prej shumave të përdorura, mes tyre 98 mijë euro, 246 mijë dollarë dhe 100 mijë euro të tjera, të paraqitura si pagesa nga kompania AGI Kons. Në hetim përfshiheshin edhe transaksione të tjera, për të cilat organi i akuzës ngrinte dyshime mbi ligjshmërinë e burimit financiar.
Ndërkohë, GJKKO ka rrëzuar kërkesën e SPAK për konfiskimin e pasurisë së Fatime Kryemadhit, duke ia lënë në pronësi vilën e sekuestruar më herët.
Ema Çoku është dënuar me 1.4 vite burgim, por i është konvertuar në shërbim prove 2 vite e 8 muaj. Ndërsa Pirro Xhixho është shpallur i pafajshëm, duke i hequr masën detyrim paraqitje.